Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në 22-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi ka kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë individët që janë përgjegjës për vrasjen e tyre në vitin 1999 në Serbi.
Price ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se ShBA-ja nuk do të ndalet derisa të zgjidhet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
“Edhe një herë, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe të hetojnë dhe të sjellin para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve të ShBA-së Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyqi në vitin 1999. Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së bëri thirrje për një zgjidhje të këtij rasti”, ka shkruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd kanë thënë se zbardhja e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe mbajtja në përgjegjësi e autorëve të vrasjes mbetet prioritet sa u përket raporteve dypalëshe me Serbinë.
Ambasada e ShBA-së në Beograd ka thënë se nuk do ta harrojë asnjëherë një krim të tillë dhe se ka kërkuar nga autoritetet serbe që të vendosin drejtësi për rastin.